HomeVlerësime

Vlerësime

Vlerësime mbi artin e Drobonikëve: Arsyeja kryesore që u zgjodh bërja e mozaikëve në kupolë ishte kryesisht lartësia e madhe në të cilën ndodhet kupola.

Flasim për një lartësi prej 23 metrash dhe për shkak të largësisë së madhe donim ta kishim shumë të fortë elementin e të plotfuqishmit.Ikonografia, sigurisht është shumë e rëndësishme brenda në ambjentet e tempujve ortodoksë, por intensiteti që jep mozaiku, ishte ajo që ndihmoi vërtet të jepej i plotfuqishmi ashtu siç donim dhe prandaj u zgjodh mozaiku. …Sigurisht jemi shumë të kënaqur nga artistët Droboniku sepse kanë qënë shumë të përkushtuar ndaj punës, të cilën ne e vumë re më qartë veçanërisht gjatë periudhës së realizimit të veprës, në Tiranë në ambjentet e brendëshme të Katedrales ku ata dhe grupi i tyre punonin. Nuk ekzistonte asnjë problem, përkundrazi kishim një bashkëpunim të veçantë edhe me kishën. Zoti Josif dhe zonja Liliana bënë mjaft ndryshime në projektet e tyre, duke u përpjekur për të arritur rezultatin maksimal dhe mendoj se ia kanë dalë mbanë pas gjithë atij mundimi.Doja t’iu thoja diçka konkrete për punën e tyre, projekti konkret që u zbatua dhe u përzgjodh për zbukurimin në fjalë lidhet shumë me konceptimin fillestar arkitekturor, pra me kupolën prej xhami siç ishte studiuar nga arkitekti. Zbukurimi i dymbëdhjetë seksionëve përreth të plotfuqishmit me rombët dhe me atë shkallëzimin e ngjyrës blu nga më e errëta deri tek më e hapura, ishte sigurisht diçka që transmetonte idenë e kristalit dhe të qiellit që shikojmë Brenda një kristali dhe kjo ishte diçka tepër pozitive për të nxjerrë në pah fytyrën e të plotfuqishmit. Mendoj që përfundimisht ata ia dolën mbanë me këtë projekt dhe këtë ndjesi e kemi kur hyjmë brenda në tempull…

Eva Arkitekte (pjesë nga intervista 13 shkurt 2012, në Tiranë)

---------------------------------------------------

…Të bësh mozaik në ditët e sotme konsiderohet si një nga specialitetet më të larta të artizanatit artistik nga tradita e madhe e Friulit, ajo e Monrealit (Duomo e njohur) dhe e Ravenës (bazilika: S. Vitale, bazilika: S.Apolinnare,Mauusoleo di Gialla Placida) hapësira e njohur është e pasur me dëshmi të këtij arti të vjetër. Dëshmi të lidhura me historinë dhe modele figurative shpesh të trashëguara nga shkollat e vjetra të mozaikëve paleokristian, teodorikian dhe bizantinë. … është me shumë interes të njihemi me punën e Josif Drobonikut, veprat e të cilit na sjellin historinë e traditës së madhe të mozaikut,të pikturës monumentale dhe asaj të afreskut… Ajo që vërtet të mahnit në punën e këtij artisti, është aftësia e tij për të ribërë sipas modelit “bizantin” imazhet e shënjta të kishave. Krishti i madh mbi sfondin e artë me krahët e hapura, kompleksi i tablove në altar, panotë dhe vepra të tjera janë shpesh të realizuara si frymëzim artistik i “dekorimit në harmoni me arkitekturën”.Në fakt mozaiku dhe piktura – afresku, kanë karakteristikat e tyre të veçanta të modelimit mbi plane të sheshta, kupola, volte, apsida, harqe duke ju adaptuar trupit të ndërtesës ashtu si nje lëkure, si një veshje që rivizaton elementët e tij në një hapësirë të re.Kështu dekori muror i Dubronikut që zhvillohet nëpërmjet imazheve të traditës së madhe të lindjes, duke ndryshuar rregullat e hapësirës arkitektonike nëpërmjet lojës së zgjuar të dritë hijes të të artave të ndritëshme. …në këto vitet e fundit ai (Droboniku) ka realizuar piktura të mëdha murale në shumë kisha të Dioqezës së Lungros, duke ribërë modelet tradicionale të artit të shënjtë bizantin, duke i pasuruar me leksionet e marra nga një mjeshtër i madh ikonograf, bashkëatdhetar me famë botërore si Onufri. Ai ka realizuar ikona për shumë ikonostase të kishave në dioqezën e Lungros,Fascineto,Plataci, S.Benedetto Ullano, Marri di S.Benedetto Ullano,Falconara Albanese,Sofferetti,por mbitëgjitha ai ka realizuar mozaikun e madh të kupolës qëndrore të Katedrales së Lungros që paraqet figurën madhështore të Krishtit Pantokrator…Veprat e tij, sidomos ikonat, janë prezent në kisha të ndryshme apo koleksione private, në selitë e kishave lindore, në seminaret rajonalë në Catanzaro,në kishat e Genzano-s, pa llogaritur ekspozitat e ndryshme në qëndra të ndryshme (edhe pse të vogla)si në Firmo, Frascineto,Lungro, Altomonte, Acquaformosa, Roseto Capo Spulico, por edhe në Lucca, Roseto degli Abruzzi ku u njoh dhe u propagandua.

Adriano Gatti “Josif Droboniku” (Piktor, portretist dhe mozaiçist i frymëzuar nga një rrezatim shpirtëror dhe kulturor, filloi veprimtarinë e tij artistike me 1977 duke interpretuar me profesionalizëm dhe mjeshtëri traditën shekullore të ikonave dhe mozaikut bizantin).Marrë me shkurtime nga Revista italiane “Artigianato - tra l’arte e design” Numero 46 Luglio /settembre 2002, fq. 52-57 Trimestrale Anno 12).

---------------------------------------------------

…Josif Dobroniku, lindur në Shqipëri, realizoi mozaikun e parë në Itali, në kishën “Santa Sofia D”Epiro”, (1991). Me realizimin e kësaj vepre, vijuan shumë vepra të tjera, të gjitha me tema fetare të realizuara duke ndjekur traditën e madhe të mozaikëve monumentalë të bizantit. Nga Shqipëria në Itali, “udhëtimi” i tij është i pasur me vepra dhe veçanërish në Itali, Josif Dobroniku në bashkëpunim me gruan dhe vajzën kanë krijuar laboratorin “Arbërart” ku projektohen dhe realizohen ikona dhe mozaikë. Nga viti 1990. ai jeton në Lungro (CS) në marrëdhënie të ngushta me komunitetin italo-shqiptar që prej shumë vjetësh kanë zënë vend në territorin tonë.Në këto vitet e fundit, ai ka realizuar piktura të mëdha murale dhe mozaikë në shumë kisha të Dioqezës së Lungros, ku jeton prej tetë vjetësh. Gjithashtu ai ka realizuar vepra për shumë ikonostase për Kishat e Dioqezës në:Frascineto, S.Benedetto Ullano, Marri di S.Benedetto Ullano, Soffetti, Plataci, Falconara Albanese,mozaikun e madh të kupolës qëndrore të Katedrales së Lungros, që paraqet figurën madhështore të Krishtit Pantokrator (të plotëfuqishëm) dhe gjithmonë në të njëjtën katedrale mozaikun e apsidës së Kapelës së Pagëzimit, përveç mozaikëve të S.Andrea dhe katër Ungjillorëve, të ëngjëjve dhe pesë mozaikëve në brendësi të Vimës. Janë realizime që arrijnë në kompleksivitetin e tyre në rreth 300 m2, mozaikë të rinj. Dobroniku të befason akoma me shumë nëpërmjet veprave të realizuara kohë më parë në Katedralen “San Nicola di Mira”, Lungro - “Gjyqi i Përbotshëm”. Një vepër monumentale në mozaik, në 90 m2, e realizuar sipas atyre modeleve të konsoliduara që “ortodoksët” kanë dashur gjithmonë të mbajnë, gjatë zhvillimit se artit. Dhe ja ku janë figurat e shpërndara në rrjeshta të ndryshëm, në bazë të rëndësisë së tyre dhe domethënies fetare… Eshtë një vepër e madhe e ndërtuar duke ndjekur linjat e arkitekturës dhe ato strukturale të kishës e aftë të të krijojë befasi, magjepsje, admirim dhe ndjesinë për tu lutur…

Osvaldo Valdi "Gjyqi i përbotshëm i Josif Dobronikut." Një paraqitje mjeshtërore e një subjekti Ikonografik të kishterë sipas traditës më klasike të mozaikut monumental bizantin” (Marrë me shkurtime nga Revista italiane “Artigianato - tra arte e desing” – 2003, faqe 58-59).

---------------------------------------------------
…Mua personalisht tek Josifi gjithmonë më ka bërë përshtypje aftësia e tij e madhe përgjithësuese e formës,ky ishte një element që e dallonte atë nga të gjithë krijuesit e tjerë. Josifi shpaloste një energji shumë të madhe, pasi ai “e përpinte” tablonë menjëherë. Ndofta ishte dhe ky element që me vajtjen në Itali, e ndjeu vehten sikur ju përshtat konceptit të pikturës bizantine, e cila ka brenda një ngarkesë të madhe intelektuale, kërkon një njohje nga pikëpamja teologjike në radhë të parë, por edhe nga pikëpamja stilistike.…Përveç dimensionit,mozaiku i kupolës ka një përkushtim të tejskajshëm të ndërgjegjes artistike për ta realizuar në detaje,si nga pikëpamja teknologjike, si nga pikpamja e kujdesit profesional,e ritmit, distancave të gurëve dhe e përpjekjeve për mbylljen përfundimtare të formës, deri tek motivet anësore…Unë me plot gojën e quaj mozaikun e Katedrales së Tiranës një kryevepër të artit shqiptar. Ajo që të entuziazmon, është fakti se gjatë këtyre 20 vjetëve të qëndrimit në Itali, Josifi ka realizuar një seri pa fund veprash për kishat: në kupola, sipërfaqe të sheshta, në apsida dhe mendoj se ai si mozaiçist është vërtet i papërsëritshëm…Eshtë kënaqësi të shikosh një madhështi të tillë. Kam qënë vetë present disa herë në studion – laborator të tyre, kur ata (Drobonikët) bënin diskutim familjar, shpesh herë në formë debati – diskutonin “me zjarr”edhe për një motiv të thjeshtë dekorativ, duke dhënë variante të ndryshme: për madhësinë, ngjyrat, sensin grafik, unitetin koloristik dhe mënyrën e mbylljes së kupolës në pjesën e poshtëme… Me Lilianën kemi qënë në një kurs.Ajo që e dallonte Lilin, ishte të qënit shumë e vërtetë si njeri.Mendoj se është edhe këmbëngulja e Lilianës me shumë vlerë në marrëdhëniet në çift, pasi unë mendoj se ata të dy bëjnë një çift të bukur bashkë. Janë dy – që plotësojnë njëri-tjetrin, janë të kompletuar bashkë.

Aleksandër Filipi – Piktor , pjesë nga intervista e realizuar në studio, Tiranë 14qershor 2012

---------------------------------------------------
…Unë sot hyra për herë të parë në Katedrale dhe nuk mundet që njeriu të mbetet pa u impresionuar kur është përpara nje vepre arti, unë kujtoj se këtu është vepër arti. Nuk jam kompetentë të flas për arkitekturës, as për mozaikun por po flas thjesht si një njeri që e çmon të bukurën. Unë mendoj se përveç të bukurës ka edhe nje diçka tjetër, një element tjetër që është madhështia e kësaj vepre, diçka që vërtet të impresionon. Nuk e vija në dyshim që do të ishte një punë e këtillë, se kam parë punime të tjera të Josif Drobonikut dhe të shoqes, të Lilit, por jo me këto përmasa. Kishat e tjera që kam parë unë janë kisha të fshatrave arbëreshë dhe vetëkuptohet se ato i ridimensionon vetë ambienti dhe po kështu ridimensionohen punimet e tyre brenda një kishe të vogël. Këtu, tek kjo Katedrale, sic thashë kam përshtypjen se ka një frymëmarrje të madhe aplikimi I tyre me artin e mozaikut. Por mendoj se është edhe një gjë tjetër, ky art nuk po praktikohet shumë nëse e krahasojmë me hapësirat e mbuluara me piktura murore;kjo vjen pasi mozaiku ndofta paraqet veshtirësi që, egzistojnë edhe për faktin që mozaiku kërkon investim dhe kështu ai si gjini ka më pak përhapje. Më bëhet shumë qejfi që ky investim është përdorur me vend, është përdorur me talent, është përdorur me përkushtim. Unë mbeta shumë i impresionuar.

Amik Kasoruho - shkrimtar, përkthyes shqiptar.Pjesë nga intervista, Tiranë ,më 23 shtator 2012

---------------------------------------------------
…Nga ato që kam parë, kam bindjen e plotë që katedralja e Tiranës zë një vend të veçantë. Pra,në qoftë se këta shembuj që ju përmenda janë në koherencë me periudhën kur janë ndërtuar, qoftë ato paleokristiane apo bizantine, katedralja e Tiranës nuk përputhet me to, nuk hyn tek shabllonet, ajo është një zgjidhje krejt e veçantë. Pra është një kombinim si ide e bazilikës paleokristiane, por me një konceptim krejt modern hapësinor. Do tëthosha që nëse e ndjekim një vizitor kur hyn në katedrale, ai ndeshet menjëherë me një hapësirë të madhe me kupolë, është një ndjenjë që vizitori mund ta ndjejë vetëm tek Shën Sofia e Kostandinopojës, pasi edhe ajo e ka kupolën qëndrore jashtëzakonisht të fuqishme dhe ka dy pjesë: lindore dhe perëndimore, me dy apsida që të japin ndjesinë që ajo hapet. Pikërisht kjo hapje e hapësirës, kjo ndjenjë këtu është arritur nëpërmjet mozaikut, me kompozimin e kësaj skene, pikërisht me atë sfondin blu, i cili duket sikur e hap hapësirën, e zmadhon atë dhe kjo është një gjë e veçantë e kësaj katedraleje.

Prof. Pirro Thomo – Arkitekt, restaurator, studjues i arkitekturës. Pjesë nga intervista e realizuar në Katedralen e Tiranës, më 23 shtator 2012.
---------------------------------------------------

Të çudit fakti që akoma dhe sot që akoma dhe sot mund të krijojnë artistë që duke punuar në sektorin e ikonografisë tradicionale në brendësi të tempujve, të të shkaktojnë emocione dhe shtangie. Ajo që të duket jashtëzakonisht tërheqëse në punën e këtij artisti është aftësia për ti "rikrijuar" modelet bizantine, duke iu referuar figurave të shenjta të kishës. Krishti i madh mbi një sfond të artë me krahët e hapura, kanatat e hapura omplekse të altarit janë menduar me frymëzimin e vjetër për të "dekoruar" në harmoni me arkitekturën. Në fakt mozaiku apo pikturaafresk kanë për karakteristikë pikërisht modelimin mbi plane, kupola,harqe, abside, etj duke jua adaptuar trupit të ndërtuar njëlloj si lëkura njerzore, si një veshje që rivizaton elementet e një hapësire. Pra dekori i frymëzuar i Drobonikut, që zhvillohet nëpërmjet figurave të traditës së madhe orientale, ndërron madje rregullat e hapësirës arkitektonike nëpërmjet një loje të mençur dritash dhe hijesh të arta dhe dritëdhënëse,

Ugo La Pietra, arkitekt dhe mozaiçist

---------------------------------------------------
Këto rradhë sshprehin përshtypjet e mia për veprat që ai ka realizuar para emigrimit në Itali. Vullneti, temperamenti dhe shkathtësia profesionale e Josif Drobonikut në kohën kur ishte student, kujtohet akoma, krahas studentëve të talentuar që kanë ndjekur studimet në Akademinë e Arteve të Bukura.Megjithëse në rrethana të një kulture totalitare, me kufizime të ndjeshme ideologjike dhe estetike,pat qënë një kënaqësi e madhe për mua të jap kontributin tim si pedagog në formimin e tij artistik. Profili krijues i Drobonikut fillon të konsolidohet që në fillim të viteve mbas studimeve, duke u futur në rrjetin e artistëve të rinj që më vonë do të jepnin kontributin e tyre në zhvillimin e pikturës realiste shqiptare. Shkathtësia dhe vena krijuese kanë dominuar në një spektër të gjërë në prodhimet e tij figurative, kanë gjetur shprehje në shumë gjini pikture por veçanërisht në pikturën monumentale, në gjithë kompleksitetin e saj, mbi të gjitha në gjininë e mozaikut. Thjeshtësia, dekorimi dhe simbolet e frymëzuara nga folklori dhe historia e vëndit shqiptar janë për Drobonikun kërkesa shpirtërore, për t’i pasqyruar më tej në shumë krijime të tij.

Vilson Kilica, piktor - pedagog

---------------------------------------------------

 

Last modified on Domenica, 20 Gennaio 2013 13:34
More in this category: « Kronologjia Kush jemi »