Josif Droboniku

 JOSIF DROBONIKU

Liliana Droboniku

 LILIANA DROBONIKU

Dikur dhe sot

 Dikur dhe sot

HomeKush Jemi

Kush jemi



Drobonikët – Josif dhe Liliana Droboniku ishin artistët e rinj shqiptarë në 30 vjeçarit të fundit të shekullit XX. Ata u formuan dhe ishin produkti artistik i asaj që sot njihet si “shkolla shqiptare e pikturës realiste”.

Dy artistët Droboniku kryen studimet e larta në ateljenë e pikturës monumentale të Institutit të Lartë të Arteve (Tiranë), që drejtohej nga artistët dhe pedagogët më të njohur shqiptarë të kohës si: Vilson Kilica, Sali Shijaku, Ksenofon Dilo, Hektor Dule dhe Niko Progri.
Krijimtaria artistike e Josif dhe Liliana Drobonikut deri në vitet 1990, ishte pjesë e ekspozitave vjetore të indokrinuara që organizonte shteti komunist shqiptar në nivel lokal dhe kombëtar.Josifi në tablotë kompozicionale dhe ato monumentale, trajtoi kryesisht temat historike,folklorike dhe ato të diktuara (“temën e ditës” – siç njiheshin në ato vite). Në veprat e artistit Josif Droboniku mbizotëronte fryma monumentale, ku forma e madhe realiste pa shumë detaje e figurave të shumta, mbizotëronin në tablo, duke krijuar në disa prej tyre prirje të fuqishme dekorative të tonuara. Aktiv,pasionant,i përkushtuar ndaj artit Josif Droboniku i ri mori pjesë në të gjitha veprimtaritë e arteve figurative që zhvilloheshin në Tiranë: ekspozita,konkurse,festivale filmi etj.Pjesëmarrja e tij,si bashkautor në grupin e piktorëve të projektimit dhe realizimit të mozaikut të madh “Shqipëria” të fasadës së Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë,ishte rezultat i diplomimit të tij në degën e pikturës monumentale (1977) si dhe i një karakteri të fortë,këmbëngulës dhe pasionant drejt gjinisë së mozaikut. Mozaiku si gjini ishte pak e aplikuar dhe e njohur në shekullit XX në Shqipëri. I vetmi mozaik monumental i realizuar në Tiranë në mesin e shekullit XX nga piktori Italian Giulio Roso (1938) ndodhej në hollin e Bankës Kombëtare Shqiptare, që deri në vitet ’90 të shekullit XX ishte një institucion i mbyllur për publikun e gjerë.
Liliana (Prifti) Droboniku, si artiste e re paraqitej në ekspozitat e kohës (pas studimeve, 1976) me një sens më pranë pikturës së kavaletit dhe prirjes drejt një poezie dhe butësie në punimet e saj (portrete) kryesisht në teknikën e vajit dhe kompozime në teknikën e bukur të qëndisjes.Përvoja dhe tradita familjare në rrobaqepësi e qëndisje e kishin paisur Lilianën me ndjenjën një dekorativiteti tradicional elegant dhe selektiv në qëndrimin artistik koloristik.Temat e saj të para në pikturën e atyre viteve (1975-1990) i kushtoheshin rinisë shqiptare, si një emocion që vinte nga mosha e saj e re dhe jeta aktive që ajo kishte si një sportiste e skuadrës “17 Nëntori” dhe e ekipit kombëtar në volejboll për disa vjet me radhë. Kryesisht jeta, puna e rinisë shqiptare ishte tematika e tablove të Lilianës të paraqitura në ekspozitat lokale dhe kombëtare.
Në fundin e vitit 1990 familja Droboniku emigroi në Itali (në Kalabri) dhe sot artistët Josif dhe Liliana Droboniku kanë arritur një karrierë të suksesëshme artistike kryesisht në fushën e ikonografisë bizantine – ortodokse.Josif dhe Liliana Droboniku sot konsiderohet artistët e mëdhenj të mozaikut shqiptar, ndofta dhe më të mëdhenjtë edhe për faktin se ata janë autorët e mozaikut të Katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, me një sipërfaqe rreth 700 m2.
Sëbashku me bashkëshorten Lilianën, Josif Droboniku paraqet në fakt një realitet të qëndrueshëm në panoramën botërore të mozaikut në Itali dhe Shqipëri dhe kjo ndodhet në fjalën “ARBERART - DROBONIKU”. Ata konsiderohen sot ndër artistët e mëdhenj të mozaikut në Kalabri - Itali, ndofta sepse vepra e tyre ka jo vetëm një kualitet të lartë artistik, por shtrihet denjësisht në një “hapësirë të gjerë” që përfshin fasada, ikonostase, interiere apo kupolat e mëse 60 kishave të ritit ortodoks-bizantin në Italinë e jugut dhe Siçili.Veprat e tyre janë një muze i hapur i artit të ri bizantin i arbëreshëve të Italisë e më gjerë në ikona, pikturë murore dhe mozaikë.
Artistët prej mëse 22 vjetësh jetojnë dhe krijojnë, në fshatin Lungro - Kalabri (Itali). një nga qendrat e rëndësishme të fshatrave arbëreshe, seli Peshkopale. Drobonikët janë bërë shumë të njohur me krijimtarinë artistike të tyre në zonën ku jetojnë, sepse kanë krijuar imazhin e mjeshtërve artizanë, artistëve-profesionistë në realizimin e veprave të ndryshme të ikonografisë së re bizantine ortodokse.Arti i tyre tashmë ka marrë një “ngjyrim” të veçantë, duke u vlerësuar nga studjuesit e artit në Itali si “Faza Shqiptare” në ikonografinë e re bizantine të eparkisë së Lungros e më gjerë. Kjo i dedikohet një përkushtimishpirtëror dhe profesional të jashtëzakonshëm të dy artistëve italo – shqiptarë. Suksesi I tyre sigurisht që u arrit falë mbështetjes, besimit dhe nderimin e autoriteteve më të larta klerikale dhe administrative të zonës së Kalabrisë.
Josif Droboniku ka arritur një karrierë të shkëlqyer artistike dhe ka fituar titullin “mjeshtër” (Maestro) në fushën e realizimeve në mozaik.


Arritjet e para dhe sukseset në ikonografinë bizantine Ortodokse
Në 8 nëntorin e vitit 1990, duke përfituar nga vizat turistike që u dhanë në kuadrin e ndryshimeve politike që po ndodhnin në Shqipëri, familja Droboniku u nis nga Durrësi me traget drejt Triestes. Ishte Ipeshkvi i Kalabrisë – Imzot Ercole Lupinaci – peshkop arbëresh që kishte ndihmuar mjaft nga shqiptarët emigrantë të mbritur në Itali pak muaj më parë me eksodin e Ambasadave, që i mirëpriti dhe I takoi në Romëdhe i sistemoi në zonën e banuar nga arbëreshët – në Kalabri.
Ne Kalabri
Banesa e parë e Drobonikeve në Kalabri gjatë viteve 1990 - 1994. ishte në selinë e Eparkisë në fshatin Firmo, në ish bibliotekën e poetit arbëresh Vorea Ujko(1918 - 1989). Vajzat Mirlinda dhe Alba u sistemuan në shkollën lokale dhe ishin nxënëset më të shkëlqyera të shkollës. Piktorët Droboniku provuan të çelnin ekspozitën e parë me punimet e sjella nga Shqipëria me disa peizazhe, qëndisje si dhe me punime që ata realizuan atë dimër në fshatin Firmo dhe zona përreth. Ekspozita pati jehonë, u mirëprit ngrohtë dhe u transferua në disa fshatra të tjerë si nëFrascineto, Lungro, Altomonte, Acquaformosa, Roseto Capo Spalico por edhe në Lucca,Roseto degli Abruzzi etj. Veprat e ekspozitës u blenë dhe u bënë pjesë koleksioneve të pikturave të banorëve të zonës.Pjesa tjetër që mbeti u ble nga prifti i kishës se Firmos - At Vincenso Matrangolo ku ruhen edhe sot.
Pas çeljes se ekspozites artistët u ftuan të realizojnë pikturat e para murore në një kishë në Firmo(dy skena “Lindja e krishtit” dhe “Ungjillizimi”). Gjatë viteve 1991 - 1994, nga ana e kishës së zonës filloi të rritej besimi tek aftësia dhe cilësia e punimeve ikonografike të artistëve të ardhur nga Shqipëria. Artistët Josif dhe Liliana Droboniku, gjatë këtyre viteve,realizuan një seri pikturash murore dhe ikona për kishat e Eparkisë së Lungros si: mozaikët në apsidës e kishës së Shën Athanasit të Madh dhe Shën Sofisë së Epirit (1991), që konsiderohet dhe puna e tyre e parë, porosi nga papa Giovanni Capparelli; ikonat e ikonostasit të kishës San Benedetto Ullano (1992) porosi nga papas Giuseppe Alessandrini me rekomandimin e Monsinjor Ercole Lupinacci; ikonat e ikonostasit të kishës Santa Lucia di Frascineto (1993), porosi e papas Francesco Solano e kështu me radhë. Në vitin 1994Eparkia e Lungros, Peshkopi - Imzot Ercole Lupinacci, i befasuar, i mahnitur dhe entuziazmuar nga talenti dhe mjeshtria e realizimit të veprave të artistëve shqiptare u besoi atyre një vepër të rëndësishme: dekorimin e Katedrales së Lungros. Fillimisht u kërkua realizimi i mozaikut të kupolës së Katedrales “Shën Nikollës”(San Nicola di Mira) së Lungros, me një sipërfaqe prej 112 m2, punë kjo që zgjati dy vjet. Mozaiku i kupolës kishte në qëndër figurën e Krishtit Pantokrator. Ky ishte imazhi i parë i Pantokratorit i realizuar nga Drobonikët në teknikën e mozaikut. Figura e Pantokratorit, në qëndër të kupolës ishte e shoqëruar me imazhe të tjera të ëngjëjve, kryeëngjërve, serafinëve, figurës së Maries në këmbë, të vendosura në formë rrethore mbi sfondin e artë sipas traditës së madhe të bizantit. Kjo mënyrë dekorimi ndofta ndryshoi imazhin e hapësirës arkitektonike nëpërmjet lojës intiligjente të dritë – hijeve dhe të shkëlqimit të sfondit të artë. Në këto momente artistët Droboniku u transferuan familjarisht me banim në Lungro.Në vitet që pasuan në këtë Katedrale u realizuan edhe punime të tjera ikonografike gjithmonë të ritit ortodoks bizantin si në pjesën e apsidës, në sallën kryesore ashtu dhe në Kapelën – Pagëzimore.Pra gjatë tri viteve (1999-2002) u realizua plotësimi i mjaft skenave me mozaikë duke shfrytëzuar edhe hapësirat murore të kornizuara me stuko reliev me një sipërfaqe komplekse prej 400 m2. Skena e “Gjyqit të përbotshëm” (sip. 90 m2 ) u realizua në murin perëndimor të Katedrales. Kjo temë u realizua sipas modeleve të konsoliduara tashmë të kishës lindore ortodokse.Të 65 figurat në mozaik janë shpërndarë në breza të ndryshëm, në bazë të rëndësisë së tyre dhe përmbatjes fetare. Në pjesën më të lartë të kompozimit është paraqitur Krishti fitimtar – brenda një mandorle rrezatuese. Kompozimi monumental I “Gjyqit të Përbotshëm” të mahnit me fuqinë e shprehjes artistike, fuqinë ngjyruese, zgjidhjen kompozicionale të ekuilibruar shumë figurëshe. Pa dyshim ajo është një vepër e madhe kompozicionale në harmoni me strukturën e interierit të Katedrales. Mozaiku përmban një dekorativitet imponuesnë harmoni edhe me sfondin e artë të zgjedhur me mjaft kujdes, që për një moment të mban para veprës me magjinë e saj artistike dhe të “detyron”ta admirosh gjatë e të lutesh para saj. Artistët shqiptarë Josif dhe Liliana Droboniku në realizimin e kësaj skene kishin të memorizuara imazhe nga vizitat që kishin bërë në Shqipëri - në Manastirin e Ardenicës (Lushnjë) dhe ruanin të freskëta emocionet e këtyre imazheve të realizuara nga Vëllezërit Zografi, në afreskun mbi hyrjen perëndimore të kishës “Fjetja e Shën Marisë”.

“ARBERART” – në Itali dhe Shqipëri –
Krijimtaria e Josif dhe Liliana Drobonikut ka lënë dëshmitë e saj artistike në të gjitha kishat e eparkisë së Lungros dhe më gjerë. Me zgjerimin e veprimtarisë në zonën ku jetonin Drobonikët çelën në Lungro laboratorin e tyre “Arbërart” (1997). Në laboratorin “Arbërart”artistët Droboniku realizuan me qindra ikona për ikonostaset e kishave të Kalabrisë, Bazilikatës, Siçilisë, Napolit, Romës, për banorët e zonës apo dhe për koleksionistë të ndryshëm. Modeli ikonografik i Drobonikëve ishte plotësisht sipas rregullave greko – bizantine dhe u vlerësua si “Faza Shqiptare” në ikonografinë e Kalabrisë. Risia që Drobonikët sollën në ikonografinë ortodokse – bizantine të arbëreshëve të Italisë ishte trasmetimi me profesionalizëm elitar i traditës ikonografike më të mirë shqiptare në shekuj, duke u mbështetur kryesisht tek kryemjeshtri ikonograf i shekullit XVI, Onufri. Ky art i “ringjallur”, i rinovuar nga artistët shqiptarë paraqitet në kompozimet shumëfigurëshe me një vizatim harmonic dhe elegant, me ngjyra plot dritë, fuqi koloristike, ku ndjehet qartë preferenca për ngjyrën e kuqe në të gjitha tonalitetet dhe kombinimet.Në imazhet e figurave të Krishtit, Shën Marisë, Pagëzorit dhe shenjtorëve të tjerë, ndjehet fuqishëm monumentaliteti, madhështia dhe prirja e modelimit të formës, zbukurimit të veshjeve me pala të shumta; shpesh të ndriçuara me ngjyrë të artë. Ecuria dhe arritjet cilësore, nga punimet e para tek ato aktuale, mund të dallohen me lehtësi, pasi në to mund të vërehet dhe ndjehet me lehtësi një evolim të vazhdueshëm stilistiko&artistik, si dhe rritje maksimale të ekspresionit të imazheve, linjave të harkuara dhe dritës së fuqishme që shpërndahet nga çdo vepër. Në realizimet ikonografike edhe pse dihen kufizimet dhe simbolika e detyruar, ndjehet një shpirt krijues dhe fuqi artistike e një niveli të klasit të parë.
Gjatë krijimtarisë mbi 20 vjeçare ikonografët italo – shqiptar Josif dhe Liliana Droboniku, kanë krijuar një koleksion ikonografik i gjinive të ndryshme ku sigurisht për vetë natyrën dhe magjinë artistike vëndin e parë e zë gjinia e mozaikut. Mozaiku i kupolës së Katedrales së shën Nikollës në Lungro (San Nicola di Mira) evidentoi qartë aftësinë e artistëve për ruajtjen e raportit të figurave, graficitetin e tyre koloristik, dekorativitetin dhe shpërndarjen e imazheve të figurave dytësore.Eksperienca e fituar nga shkolla realiste e Tiranës dhe realizimi i mozaikut të madh në qëndër të Tiranës (fasada e Muzeut Historik Kombëtar),i mozaikut për fasadën e Institutit të Lartë Bujqësor, 1985 (me bashkautor Agim Nebiu), ai i fasadës së Pallatit të pionierëve,Tiranë, 1988, (me bashkautor Agim Nebiu), ishte një eksperienecë dhe ndihmesë për Josifin në realizimin e veprave të para në mozaik. Kjo eksperiencë shqiptare u plotësua me marrjen e shëmbujve më të avancuar teknik gjatë bashkëpunimit që artistët Droboniku patën gjatë viteve 1991-1994, me mozaiçistin nga Roma, profesorin e Akademisë së Firences Walter Cinti.
Laboratori “Arbërart”, në vitin 2002, krijoi një degë të tij në qëndrën historike Altomonte (CS). Nga realizimet më të njohura të laboratorit “Arbërart” në mozaikë, pikturë murale dhe ikona mund të kujtojmë: Mozaiku që paraqet Shën Athanasin e Madh në kapelën e Shën Athanasit të shën Sofisë së Epirit si dhe një seri pikturash murale (1997-2000); realizimi i mozaikut me skenën “Pagëzimi I Krishtin në lumin Jordan”, në kishën e Shën Kostandinit Calabro dhe serinë e ikonave të ikonostasit në kishën “Di Soffereti” (1998, S.Demetrio Corona). Gjatë vitit 1999 u realizuan: mozaiku i Santa Luçias në kishën me të njëjtën emër në Frascineta (CS), figura e Shën Marisë së Konstandinopojës në kishën e Mater Domini në Catanzaro, realizimi i pikturës murore kushtuar Shën Mauros (kisha Cantinella di Corigliano) dhe realizimi i një serie pikturash murore në kishën San Costantino Albanese (PZ). Në vitet 1999 – 2002 u realizuan vepra në mozaik dhe pikturë murale në një sipërfaqe prej 400 m2,në Katedralen e Lungros. Gjatë viteve 2000 - 2012 , nga artistët Droboniku dhe “Arbërart”, u realizuan me qindra ikona për dekorimin e ikonostaseve si dhe u zbukuruan me mozaik dhe pikturë murore shumë kisha në Kalabri, Cozenca, Catania, Romë, Palermo.
Në vitin 2010 Josif dhe Liliana Droboniku fituan konkursin për dekorimin e kupolës së Katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, Shqipëri. Një vepër madhështore arti, me një sipërfaqe rreth 700 m2. Mozaiku do të “mbulonte” kupolën sëbashku me dekoracionet e 52 dritareve dhe brezit dekorativ poshtë tyre.Kështu që “Arbërart” krijoi në Tiranë selinë e saj të re, në një ambjent të gjerë nëntokësor në Katedrale, ku u bashkuan dhe u bënë pjesë e grupit realizues (12 ndihmësa të trajnuar) edhe dy vajzat e artistëve: Mirlinda dhe Alba Droboniku, të diplomuara në Romë për arkitekturë. Puna për realizimin e mozaikut të Kupolës, filloi më qershor 2010 dhe përfundoi me përurimin e Katedrales më 24 qershor 2012.

 

Last modified on Sabato, 12 Gennaio 2013 10:32
More in this category: « Vlerësime